Sterilizimi
Sterilizimi është një operacion, në të cilin një mashkull ose një femer bëhet përgjithmonë jopjellor. Ai nuk mund të ngjizë më fëmijë dhe ajo nuk mund të lindë më fëmijë. Prandaj, vendimi për t´iu nënshtruar sterilizimit duhet të mendohet mirë.
Kthimi pas i sterilizimit është i kushtueshëm dhe jo gjithmonë i suksesshëm.
Sterilizimi tek mashkulli
Gjatë sterilizimit të mashkullit, dy kanalet e spermës në skrotum priten ose fiksohen në një zyrë ose klinikë mjekësore. Kjo bllokon kalimin e spermatozoidëve (qelizave spermatozoide) nëpër kanalet e spermës. Ata nuk hyjnë më në lengun seminal dhe shpërbëhen nga trupi pas një kohe të shkurtër.
Duhen disa javë derisa lëngu seminal të mos përmbajë më spermatozoidë pas orgazmës. Vetëm atëherë është e sigurt që burri nuk mund ngjizë më fëmijë.
Sterilizimi tek femra
Sterilizimi tek fema zakonisht kryhet në një klinikë. Gjatë operacionit, tubat fallopiane mbyllen elektrikisht ose shtrëngohen me një kapëse.
Pas operacionit, vezët vazhdojnë të piqen në vezore. Ndodh edhe ovulimi. Por, për shkak se tubat fallopiane janë të bllokuar, spermatozoidët nuk mund ta arrijnë më vezën dhe ta fekondojnë atë. Pas një kohe të shkurtër, veza shpërbëhet nga trupi brenda tubit fallopian.
Ja çfarë ndryshon pas sterilizimit
Pas sterilizimit, vazhdojnë të prodhohen të njëjtat hormone, si në trupat e meshkujve ashtu edhe në ato të femrave. Sterilizimi nuk e ndryshon aftësinë për kënaqësi seksuale.
Një vendim i rëndësishëm për pjesën tjetër të jetës
Ndodh që mashkulli ose femra të pendohet më vonë për sterilizimin. Nëse rrethanat e jetës ndryshojnë, mund të lindë dëshira për një fëmijë (tjetër). Disa mund të pendohen për ndërhyrjen, kur operacioni kryhet në një moshë shumë të re. Pas një ndarjeje, një aborti ose një shtatzënie të vështirë, është e rëndësishme që t´i jepni vetes kohë të mjaftueshme, për të marrë këtë vendim.
Sterilizimi tek mashkulli dhe tek femra
Sterilizimi i mashkullit është më i thjeshtë se sterilizimi i femrës. Sterilizimi i femrës kërkon një operacion të madh në bark nën anestezi të përgjithshme. Ai mbart më shumë rreziqe kirurgjikale sesa sterilizimi i mashkullit dhe është gjithashtu më i shtrenjtë.
Kostot
Sterilizimi tek mashkulli kushton 400 deri 600 Euro.
Sterilizimi tek femra kushton 600 deri 1000 Euro.







