Leukoplasti kontraceptiv (leukoplasti hormonal)
Leukoplasti kontraceptiv duket si një leukoplast i zakonshëm, por lëshon hormone të cilat parandalojnë shtatzëninë. Për shkak se hormonet mund të kenë efekte anësore dhe për këtë arsye kontracepsioni nuk është i përshtatshëm për çdo grua, receta për leukoplastin kontraceptiv duhet të merret nga një mjeke ose një mjek.
Me leukoplastin kontraceptiv gruaja nuk ka një cikël natyror dhe nuk ovulon.
Nëse leukoplasti ndërrohet gjithmonë në kohë, ai siguron kontracepsion shumë të besueshëm.
Efekti
Kështu funksionon leukoplasti kontraceptiv:
- Leukoplasti kontraceptiv parandalon ovulimin.
- Ai ndryshon mukozën në qafën e mitrës në mënyrë që spermatozoidët (qelizat spermatozoide) të kenë vështirësi të hyjnë në mitër.
- Ai ndikon në mukozën e mitrës në një mënyrë të tillë që veza nuk mund të implantohet.
Kështu përdoret leukoplasti kontraceptiv
Leukoplasti kontraceptiv ka përmasa prej rreth 4,5 x 4,5 centimetra dhe ngjitet si një leukoplast i zakonshëm. Ai mund të ngjitet në bark, në vithe ose në çdo vend tjetër në pjesën e sipërme të trupit, por jo tek gjinjtë
Çdo shtatë ditë, për tre javë rresht, ngjitet një leukoplast i ri. Kjo pasohet nga një javë pa leukoplast. Pas kësaj, vazhdohet me një pako të re leukoplasti.
Gjakderdhja kryesisht ndodh gjatë shtatë ditëve pa leukoplast, por ajo është më e lehtë dhe më e shkurtër se menstruacionet natyrale (cikli menstrual). Edhe gjatë këtyre ditëve ekziston një mbrojtje kundër shtatzënisë.
- Hapni paketimin. Në anë të paketimit ndodhet një prerje e vogël, e cila e lehtëson hapjen.
- Hapni paketimin.
- Nxirrni leukoplastin me filmin mbrojtës nga paketimi
- Hiqeni gjysmën e filmit mbrojtës transparent.
- Ngjiteni leukoplastin në bark, në vithe ose në çdo vend tjetër në pjesën e sipërme të trupit, përveç tek gjinjtë. Lëkura duhet të jetë e thatë dhe e palënduar, dhe në atë vend ajo nuk duhet të jetë e lyer me krem.
- Hiqeni pjesën tjetër të filmit mbrojtës dhe shtypeni leukoplastin fort në lëkurë.
- Hiqeni leukoplastin pas një jave. Ngjisni nga një leukoplast të ri në javën e dytë dhe të tretë. Mos përdorni leukoplast në javën e katërt. Pas kësaj, filloni përsëri nga fillimi.
Kjo redukton sigurinë
Kur leukoplasti hiqet dhe nuk vendoset me një të ri për më shumë se 24 orë: Atëherë duhet të përdorni kontracepsion shtesë për shtatë ditë, si për shembull prezervativë. Nëse keni pasur marrëdhënie seksuale të pambrojtura gjatë kësaj kohe, „pilula e emergjencës“ mund të jetë një mundësi.
Nëse jeni duke marrë medikamente për epilepsi dhe sëmundje virale, si dhe antibiotikë të veçantë për tuberkulozin ose preparate që përmbajnë bar të Shën Gjonit: Pyesni mjeken ose mjekun tuaj.
Efektet shëndetësore
- Disa gra përjetojnë të përziera, marramendje, dhimbje koke dhe luhatje humori nga hormonet në leukoplastin kontraceptiv. Një gjendje depresive dhe humbja e dëshirës për seks janë po ashtu të mundshme.
- Leukoplasti kontraceptiv rrit pak rrezikun e trombozës, atakut në zemër, goditjes në tru dhe llojeve të caktuara të kancerit. Por, probleme serioze shëndetësore shfaqen rrallë.
- Gjakderdhja zakonisht është pak më e paktë, më e shkurtër dhe më pak e dhimbshme se menstruacionet natyrale.
- Në vendin ku ngjitet leukoplasti mund të ndodhë një irritim i lëkurës.
Kostot
Leukoplasti kontraceptiv mund të blihet në farmaci vetëm me recetë. Një pako me tre leukoplaste kushton rreth 22 Euro, një pako për tre muaj, pak më shumë se 40 Euro.
Nëse gratë e reja kanë një sigurim shëndetësor ligjor, kostot e leukoplastit kontraceptiv mund të mbulohen deri në ditëlindjen e tyre të 22-të. Pyesni mjeken ose mjekun tuaj për këtë.







