Injeksioni kontraceptiv (injeksioni tremujor)
Injeksioni kontraceptiv bëhet nga një mjeke, një mjek ose një profesionist mjekësor në muskulin e gruas ose nën lëkurën e saj.
Ai parandalon për tre muaj rresht dhe në mënyrë shumë të besueshme, që gruaja të mbetet shtatzënë.
Injeksioni kontraceptiv quhet edhe injeksioni tremujor.
Për shkak se hormonet mund të kenë efekte anësore dhe për këtë arsye kontracepsioni nuk është i përshtatshëm për çdo grua, receta për injeksionin kontraceptiv duhet të merret nga një mjeke ose një mjek. Meqenëse shpeshherë shfaqen efekte anësore më të theksuara sesa metodat e tjera kontraceptive hormonale, rrallë jepet recetë për të në Gjermani.
Me injeksionin kontraceptiv, gruaja nuk ka një cikël natyral dhe ovulacion.
Efekti
Injeksioni kontraceptiv ka këtë efekt:
- Ai parandalon ovulacionin.
- Ai gjithashtu vështirëson hyrjen e spermatozoidëve (qelizave spermatozoide) në mitër.
- Edhe membrana mukoze ndërtohet më pak në mitër dhe si rrjedhojë nuk mund të implantohet asnjë vezë.
Kështu bëhet injeksioni kontraceptiv
Para dhënies së injeksionit kontraceptiv, mjekja ose mjeku verifikon që gruaja definitivisht nuk është shtatzënë.
Injeksioni bëhet në muskulin e pjesës së sipërme të krahut ose në vitheve, nën lëkurën e barkut ose në kofshë. Injeksioni kontraceptiv ka një efekt të menjëhershëm. Injeksioni tjetër bëhet 12 deri në 14 javë më pas.
Kjo pakëson sigurinë
Nëse injeksioni tjetër bëhet më vonë se 14 javë pas injeksionit të fundit, kontracepsioni nuk është më i sigurt. Në këtë rast, duhet të përdoren kontracepsione shtesë, siç janë prezervativët, deri në marrjen e injeksionit tjetër dhe për 7 ditët e para, pas bërjes së tij.
Efektet shëndetësore
- Pas përdorimit për një kohë të gjatë (më shumë se dy vjet), ekziston rreziku i uljes së dendësisë së kockave.
- Ndryshe nga kontraceptivët e tjerë hormonalë, gratë shtojnë më shpesh në peshë, veçanërisht nëse kanë tashmë mbipeshë.
- Nëse shfaqen efekte anësore të rënda, përdorimi nuk mund të ndërpritet para kohe, sepse efekti zgjat tre muaj.
- Menstruacionet (cikli menstrual) shpesh ndalen pas disa javësh. Ky mund të jetë një lehtësim për gratë me gjakderdhje të madhe dhe dhimbje menstruale.
Kostot
Injeksioni kontraceptiv kushton nga 27 deri në 32 Euro. Një pako me gjashtë injeksione është shumë më e lirë. Mund të ketë edhe kosto shtesë deri në 15 Euro për bërjen e injeksionit.
Nëse gratë e reja kanë një sigurim shëndetësor ligjor, kostot e injeksiont kontraceptiv mund të mbulohen deri në ditëlindjen e tyre të 22-të. Pyesni mjeken ose mjekun tuaj për këtë.







